Jeta Osh Qef
Home

Shqiptarët po bëhen bullgarë që të ikin në Angli
Nga: S.Bardhi | Publikuar më: 17.07.2017, 11:04

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
pasaporte-bullgare

Trebishti në verilindje të Shqipërisë duket si një fshat fantazmë, i zbrazur nga banorët e saj me nxitim për të marrë pasaportat bullgare që hapin derën për në Bashkimin Evropian.

Arman Kadriu ka emër shqiptar, por 12-vjecari e konsideron veten bullgar. “S’dua të rri të ruaj lopët këtu. Dua të luaj futboll”, thotë ai teksa luan në një rrugë të prishur në një fshat të Gollobërdës.

“Por ama, në Agli me pasaportë bullgare, kjo dëshirë bëhet realitet”, thotë Armani. Bullgaria dhe Shqipëria nuk ndajnë një kufi. Dhe Shqipëria, vend jo anëtar në BE, nuk i përfshin bullgarët midis bashkësive etnike të njohura.

Agjencia shtetërore “Bullgarët jashtë vendit” e cila ndihmon banorët e kësaj ane të pajisen me pasaporta bullgare thekson se, këta banorë janë bullgarë dhe se janë vendosur në Shqipëri në shekullin V. Organizatat bullgare në Shqipëri thonë se ka rreth 100 mijë bullgarë. Parlamenti Evropian i bëri kërkesë Tiranës t’i njohë ligjërisht në praktikë të drejtat e personave me origjinë bullgare nga Prespa, Gollobërda dhe Gora.

“Këtu na u rritën shpresat. Për çdo ditë 7 apo 8 persona vijnë dhe interesohen për pasaportat bullgare” thotë Haxhi Pirushi, drejtor i shoqatës “Prosperitet Golloborda”.

Një dëshmi për origjinën gollobordase, bashkë me kartën e anëtarësisë së shoqatës u kushton atyre 150 euro. Tahir Mucina nga Trebishta, një fshat i cili dikur kishte 6 mijë banorë  ka treguar se më shumë se gjysma e banorëve kanë ikur në perëndim me një pasaportë bullgare.

Të njëjtën gjë kanë bërë edhe banorët e rajonit të Prespës, të cilët masivisht janë duke u pajisur me pasaporta bullgare, njofton AFP. Bullgaria është vendi me nivelin më të ulët të jetesës brenda Bashkimit Europian, e megjithatë ky vend është kthyer në shpresë për qindra banorë të zonës së Gorës në verilindje të Shqipërisë.

Nëntë fshatrat e kësaj zone popullohen nga banorë që kanë trashëguar gjuhën sllave të ngjashme me atë maqedonase, e që mendohet se ndodhen aty që mes shekujve XI dhe XIII, kohë kur Bullgaria u përfshi nga lëvizja bogomile-që banorët e shqipërojnë “të dashurit e Zotit”.

Përgjatë dy dekadave të tranzicionit, ky komunitet është tunduar shpesh nga ofertat për nënshtetësi ballkanase.

Në vitet ‘90 erdhën serbët që u munduan ta përgatisin Gorën si minoritet të tyren në Shqipëri. Më pas, edhe maqedonasit synuan një gjë të ngjashme, shkruan AFP.

Të tretët ishin bullgarët, të cilët ndryshe nga dy pretendentët e parë ia dolën të shkaktonin valën më të madhe të emigrimit dhe zbrazjen e zonës nga banorët e saj.

Në fillim të vitit 2015, fshatrat e Shishtavecit dhe Zapodit u vendosën në fokusin e medias për të ilustruar fluksin e lartë të largimeve nga Shqipëria dhe kërkesave për azil në vendet e BE-së.

Në të vërtetë, banorët e këtyre fshatrave përdorën pasaportat e reja bullgare për të nisur një jetë të re në Perëndim, shumë herë më të favorizuar se mijëra shqiptarë që përfunduan në kampet e refugjatëve./Balkanweb