Jeta Osh Qef
Home

Goranët nisin radhën për pasaportat bullgare
Nga: A.Shehaj | Publikuar më: 17.10.2017, 08:28

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Goranët në Kukës, gollobordasit në zonën e Bulqizës dhe Prespa e Vogël në Korçë, tani e tutje, do të njihen si pakicë kombëtare bullgare.

Kjo, pasi Parlamenti i Shqipërisë, në seancën e ditës së premte, me vota unanime, miratoi ligjin e minoriteteve, ku u përfshinë në ligj edhe pakicat bullgare, që nuk kanë ekzistuar më parë. Sofja zyrtare pretendon se, sipas të dhënave jozyrtare, 50 mijë–100 mijë njerëz, që i përkasin etnisë bullgare, jetojnë në Shqipërinë Lindore.

Ndërsa Shqipëria Zyrtare, më parë, ka njohur dy lloje minoritetesh: nacional-etnik dhe kulturor-linguistik. Kategoria e parë përfshin minoritetin grek, maqedonasit dhe serbo-malazezët. Ndërkohë që etnia e pretenduar bullgare nuk hyn në asnjërën prej këtyre kategorive. Por kërkesat e Bullgarisë për njohjen e “pakicës etnike bullgare” në Shqipëri kanë shkaktuar jo pak komente në mesin e komuniteteve joshqipfolëse, apo më saktë bilinguistike (dy gjuhëshe) në Kukës.

Banore nga Gora e Kukesit para konsullates bullgare ne Tirane ne pritje per te dorezuar dokumentat

Në dy dekadat e fundit, diplomatë të vendeve ballkanike dhe segmente të caktuara të politikës dhe akademive të shkencave të këtyre vendeve, duke përfituar nga rrethanat aspak të favorshme ekonomike të Shqipërisë, si dhe rrethana të tjera jo shumë komode në aspektin gjeopolitik, kanë treguar oreks në rritje për të “zbuluar” pakicat etnike në Shqipëri dhe mundësisht komunitetet me një numër sa më të madh.

Fshatrat e Kukësit

Një nga komunitetet e synuar për t’u përfituar si pakicë, janë goranët e Kukësit, të cilët banojnë në 9 fshatra të njësive administrative Zapod dhe Shishtavec të Bashkisë Kukës, si dhe një numër familjesh të shpërndara në Kukës, Tiranë, Durrës, etj.

Goranët në Shqipëri janë deklaruar si shqiptarë, pa asnjë mëdyshje, në kohën e sundimit komunist në Shqipëri. Por me ndryshimet demokratike të ndodhura pas viteve 90-të të shekullit të kaluar, edhe goranët e Kukësit kanë kërkuar një farë autonomie kulturore, por kjo kërkesë e tyre nuk është realizuar, pasi pjesa që kërkonte këtë lloj autonomie ishte minorancë.

Por herë pas here, të ashtuquajtur lider të këtij komuniteti, në publikimet e tyre e kanë paraqitur veten, herë si maqedonas, herë si bullgarë, apo si myslimano-boshnjakë, por asnjëherë si serbë. Edhe ish-ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Gert Ahrens, gjatë një vizite të realizuar në Shishtavec, vite më parë, i ka quajtur goranët e Shqipërisë minoritet. Kjo deklaratë e ish-ambasadorit Ahrens ngjalli asokohe reagimet e banorëve të kësaj zonë, të cilët e kundërshtuan atë.

Në vitet ’90, kanë qenë serbët, që përmes përpjekjesh jo gjithnjë të qarta, janë munduar ta “përgatisin” si pakicë të tyre Gorën dhe goranët. Pas tyre, maqedonasit dhe së fundi, edhe bullgarët. Serbët, në vitet ‘90, ndërsa mbanin Kosovën nën shtypje të pashembullt policore e ushtarake, dhanë viza për goranët e Kukësit, me synimin, siç komentohej në atë kohë, të përgatisnin një ditë shpalljen e Gorës së Kukësit si pakicë etnike të tyre. Maqedonasit, nga ana e tyre, shkuan deri atje sa t’u premtonin jo vetëm viza goranëve, por edhe pasaporta maqedonase.

Vite më parë, aty nga fundi i viteve ’90 dhe fillimi i shekullit të 21-të , siç u shkrua në shtypin e kohës, udhëtoi jo zyrtarisht në Gorën e Kukësit, ambasadori i Maqedonisë në Shqipëri, për t’u dhënë banorëve premtime për benefite në këmbim të deklarimit si pakicë maqedonase. Të fundit, por duket se me të vendosurit, ishin bullgarët. Duke qenë anëtarë të BE-së, bullgarët, megjithëse të fundit, e kanë arritur qëllimin duke qenë një hap para të tjerëve lidhur me sensibilitetet e krijuara.

Siç pohojnë vetë goranët, në Sofje vepron prej vitesh një shoqatë me emrin e një poeti bullgar, një OJF me ndikim kur është fjala për të përfituar një vizë apo një pasaportë nënshtetësie të dyfishtë. (Bëhet fjalë për shoqatën “Ivan Vazov”, të themeluar dhe drejtuar nga Zehrudin Dokle, me origjinë nga fshati Borje i Kukësit. Aktualisht, dhjetëra goranë, të pajisur me vërtetime të OJF-ve, kanë bërë aplikimet për marrjen e pasaportave bullgare, ndërsa shumë të tjerë janë bërë tashmë bullgarë e rrjedhimisht “europianë”.

Gjuha

Deri tani, goranët, që flasin një variant të sllavishtes, kanë mbrojtur statusquonë. Shumica e tyre nuk janë treguar asnjëherë entuziastë për ofertat e ballkanasve, edhe për faktin se janë zhvendosur nga fshatrat e Gorës dhe banojnë në Kukës e qytete të tjera të Shqipërisë dhe janë integruar jo vetëm në jetën ekonomike dhe kulturore, por edhe atë politike të vendit, gjithnjë si shqiptarë dhe jo si pakicë etnike.

Edhe në fshatin Shishtavec, si qendër administrative e Gorës, pavarësisht të folurit në sllavisht të pashkruar, ndryshe nga vendet e tjera që pretendojnë se janë minoritete, nuk sheh asnjë gjurmë të shkruar me germa cirilike, apo sllave. Tabela në hyrje të komunës është e shkruar në shqip dhe anglisht. Po ashtu, edhe tabela treguese për shtigjet për turistët. Ndërsa në muret, në qendër të fshatit, dikur qendër e kooperativës bujqë- sore që mbante emrin “Hysni Kapo”, ishfunksionar i lartë komunist në Shqipëri, ende ekzistojnë të vetmet parulla të sistemit komunist si “Lavdi Marksizëm-Leninizmit” dhe

“Plani i Pestë Pesëvjeçar Vepër e Vetë Masave” etj. Por një arsye më shumë. që hedh poshtë pretendimet bullgare, është se Gora është një, por e ndarë në dy pjesë, në Shqipëri e Kosovë. Ndërkohë që me Kushtetutë, Kosova është shtet multietnik, krahina e Gorës, e vendosur në komunën e Dragashit, kufi me Gorën e Kukësit, emërtohet si “komuniteti goran”, pas ndonjë lidhjeje me Bullgarinë.

Goranët

Goranët në Shqipëri ndihen të fyer po t’i etiketosh si sllavë. Etiketimi i tyre si banorë me origjinë sllave është fyerje për goranët. Pas ish-ambasadorit Gert Ahrens, i cili i quajti para disa vitesh si minoritet, ka pasur dhe të tjerë që i kanë quajtur goranët si popullsi sllave dhe që kanë mundur të marrin azil në Angli, duke u deklaruar si viktima të UÇK-së dhe të bombardimeve të NATO-s në ’99-n. Këtë shqetësim për fyerjen që u është bërë nga shkrime të ndryshme, banorët e Shishtavecit ia kanë parashtruar edhe Kryeministrit Edi Rama, kur ai ishte për vizitë në këtë fshat më 25 tetor të vitit kaluar, përmes një emigranti që ndodhej në Angli, por kishte qëlluar aty për arsye familjare.

Por kryeministri e ka injoruar shqetësimin e emigrantit, duke injoruar edhe mediat që e kanë pasqyruar reportazhin. “Të jap vëllai një këshillë. Jeton në Angli, mirë ne që e kemi taksiratin me këto media këtu në Shqipëri, ti ke ‘The Guardian’, ‘The Independent’”, ka qenë përgjigjja e Kryeministrit Edi Rama ndaj shqetësimit të banorëve të Gorës, përcjellë përmes emigrantit që jetonte në Angli.

Pasaportat

Çdo ditë para konsullatës bullgare në Tiranë sheh të grumbulluar banorë të zonës së Gorës që presin për të dorëzuar dokumentet në ambasadë, për të bërë të mundur marrjen e një pasaporte bullgare.

Në mëngjes, para se të paraqiten në ambasadë, Nuredin Nuredinaj, një person nga zona e Gorës, por me banim në Farkë të Tiranës, që kryen rolin e përkthyesit, këshillon aplikuesit për ndonjë mungesë apo pasaktësi në dokumentacion. Përkthyesi i miratuar nga Ambasada Bullgare nuk e ka të nevojshme të kryejë rolin e ngarkuar në konsullatë, pasi aplikuesit goranë nuk e kanë të vështirë të komunikojnë me konsullin e Ambasadës Bullgare.

Dokumentacioni i fazës së parë ka të bëjë me certifikatën e lindjes, atë familjare, si dhe certifikatën e trungut nga babai dhe nëna, të katërta me vulë të Prefekturës, si dhe vulën apostile të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërkohë që e njëjta situatë, si para Ambasadës Bullgare në Bllokun e Ambasadave është edhe në lagjen “Ali Demi” të Tiranës. Në afërsi të resortit “Orchidea”, në katin e parë të një pallati gjendet shoqata “Prosperitet Golloborda”. Ditë për ditë aty sheh banorë të zonës së Gorës e Gollobordës që presin në radhë për të legalizuar dokumentet për origjinën e tyre gorane apo gollobordase dhe për t’u anëtarësuar në shoqatë kundrejt pagesës prej 150 eurosh.

“Këtu bëhet legalizimi i dokumenteve nëse je goran apo gollobordas kundrejt një pagese prej 150 eurosh. Ky legalizim bën të mundur dorëzimin e dokumenteve në konsullatë për të filluar më pas procedurën për pajisjen me pasaportë bullgare. Ata që kanë aplikuar në vitin 2012 janë skualifikuar dhe të gjithë do të përsërisin dokumentet. Me ardhjen e qeverisë së re të Bojko Borisovit, shanset janë shtuar se tepërmi për të marrë një pasaportë bullgare”, thotë Enver Nuredini, banor i Farkës, por që ka lindur dhe është rritur në fshatin Oreshkë të zonës së Gorës në rrethin e Kukësit.

Po të kesh dokumentacionin e rregullt, nuk të refuzohet dhënia e pasaportës. Po në vitin 2012, sipas aplikuesve ka pasur dallavere, ndaj po përsëritet i gjithë dokumentacioni i aplikuesve të atij viti. Por nëse një person ka marrë pasaportë bullgare nga trungu i familjes, atëherë proceduara është më e lehtë, pasi aplikon duke dorëzuar fotokopjen e pasaportës së noterizuar të personit që është në trungun tënd familjar. Pasaportat jepen me një afat 5-vjeçar me të drejtë rinovimi. Nëse më parë pasaporta vonohej deri në katër vjet nga koha e aplikimit, tashmë me ardhjen në pushtet të Bojko Borisovit, pasaporta të del për 1-1.5 vjet nga koha e aplikimit.

Por një arsye tjetër që josh popullsinë gorane për t’u pajisur me pasaporta bullgare është edhe shkollimi i fëmijëve në vendet e BE-së. “Ka leverdi edhe për shkollën e fëmijëve. Bullgaria është vendi me nivelin më të ulet të jetesës nga shtetet anëtare të BE-së, kështu që ka favore për shkollim në shtetet anëtare. Nëse një shtetas gjerman paguan në një shkollë britanike 15 mijë paund, një student bullgar paguan vetëm 10% të kësaj shume”, thotë Edmond Veseli, student nga fshati Borje, që ka mbaruar studimet Bachelor në Bullgari dhe master në Gjermani dhe që disponon pasaportë bullgare.

Enkelejd Veseli tani jeton në Angli dhe pret që të marrë atje edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, pasi kanë aplikuar për pasaportë bullgare në pritje për ta marrë atë. Ndërkohë që të tjerë banorë nga Kukësi me origjinë nga Gora, por edhe banorë të fshatrave të Gorës pas marrjes së pasaportës bullgare, udhëtojnë drejt Gjermanisë, pasi ndryshe nga të tjerët, e kanë më të lehtë qëndrimin dhe gjetjen e një pune. Njëri prej tyre, pikërisht Leonard Ollomani, me origjinë nga Borja, por banor i qytetit të Kukësit, pasi është pajisur me pasaportë bullgare, familjarisht është zhvendosur në Gjermani.

Por banorët e Shishtavecit ankohen se janë diskriminuar negativisht nga autoritetet bullgare në dhënien e pasaportave, ndërkohë që të privilegjuar janë zona e Borjes dhe Zapodit në Gorë dhe Golloborda në Bulqizë. “Në Shishtavec mund të jenë vetëm 10 familje që kanë marrë pasaporta bullgare”, thotë studiuesi i kësaj zone, Zenulla Bala. Studiuesi Bala ka bërë një studim prej 87 faqesh për familjen dhe lëvizjen demografike të popullsisë së Shishtavecit pas vitit 1945, më saktë pas çlirimit të Shqipërisë./Panorama