Jeta Osh Qef
Home

REAGIM/ Kjo është arsyeja pse nuk shkova në Top Show dhe dy fjalë për Anila Bashën
Nga: S.Bardhi | Publikuar më: 17.11.2017, 17:40

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Tani që po shkruaj këtë artikull më ndieni kur them që me më shumë dëshirë do shkruaja për ndonjë problem të popullit me shpresën se do zgjidhet sa më parë.

Por, e vlerësoj mundin plot pasion të kolegëve me të cilët kaloj 8 orë dhe e ndjej përgjegjësi morale të shpreh atë që do thosha nëse do pranoja ftesën e Top Show dhe arsyen pse nuk shkova.

Për këtë do t'ju flas në vetën e parë dhe herë-herë në emër të redaksisë.

Si erdha në JOQ dhe pse?

Jam pjesë e JOQ.al prej rreth një viti, madje nuk e quaj punë. Për mua është më tepër, sepse po të ishte punë do isha “robot”. Mirëpo, këtu kam detyrë të mendoj dhe të mos jem kurrsesi sipërfaqësore sa për të bërë një lajm e për të mbyllur normën që rëndom e kanë të përcaktuar.

Erdha në redaksinë Jeta Osh Qef me një aplikim të thjeshtë, nuk kam mbaruar gazetari, por CV-ja ime ishte e mbushur me pjesëmarrje nëpër protesta për të mirën e përbashkët.

Kisha mbaruar masterin dhe isha e papunë, e-maili im është plot me CV të dërguara që kanë mbetur stok. Kur mora telefonatën e një prej drejtuesve të JOQ dhe pasi biseduam gjatë, u thashë shprehimisht “Babai im më ka thënë që nuk do futesh kurrë në punë me këto ide dhe me gjithë ato protesta”, dhe përgjigja ishte: “Vetëm për këtë arsye do t'i bashkohesh familjes tonë!”

Jam e bindur që nëse nuk do isha pas kësaj tastiere do isha pa punë, sepse nuk i ndrydh idealet e mia.

Kalova dhe testin nëse dija të bëja një lajm dhe u pranova. E dini cila ishte prova? Të përshkruaja foto nga realiteti shqiptar që prekte shëndetësinë, drejtësinë, arsimin e gjëra të kësaj natyre, pra, nuk ishte a dija të bëja PR për dikë.

Një kriter që duhet ta ketë çdo kush që pretendon për t’u bërë pjesë e jona është ana njerëzore. Kapitalizmi i bën njerëzit pa zemër dhe është e vështirë të gjesh dikë që nuk është mercenar. Një mercenar nuk do t’ja dijë shumë për harmoninë në punë, por këtu harmonia mes nesh është gjithçka. Nëse nuk kemi mirëkuptimin, kësaj redaksie i vihet kyçi.

Pse nuk mora pjesë në Top Show?

Pasi Alban Dudushi na ftoi për të marrë pjesë në emisionin e tij (gjej rastin ta falenderoj), që të diskutonim për portalet dhe fake news, kolegët propozuan që të shkoja unë. “Televizioni të konsumon, jemi mirë kështu”, kjo ishte përgjigja që u thashë në redaksi kur më propozuan për të shkuar. E megjithatë na bënë faktor edhe pa qenë në studio dhe ndjejmë njëfarë përgjegjësie për të sqaruar pozicionin tonë për ata që u detyrohemi: Popullit që na lexon, na sjell materiale dhe është frymëzimi e bashkëpunëtori jonë më i mirë.

Sot çdokush kërkon famë dhe është e lehtë ta fitosh, por ne nuk e duam, sepse nëse ne bëhemi të famshëm bie mesazhi që duam të përcjellim. Për ne puna dhe mesazhi është shumë herë më i rëndësishëm se sa fytyra jonë në televizion.

As nga frika nuk lëmë pa dalë, sepse ne jemi njerëz si ti që po lexon tani, kemi familje, dalim kafeve me shoqërinë, shkojmë në stadium, në koncert, xhami, kishë, teatër dhe kudo.

Televizioni nuk është për fjalën e lirë, madje është për komercializimin e gjësë e kjo bie në kundërshtim me parimin tonë si redaksi. Nuk mund të flasim në të njëjtat studio ku personazhet më të njohura të politikës mashtrojnë çdo sekondë.

Ndoshta nuk kemi audiencën e televizioneve, por mjaftohemi me këtë që kemi sepse është masa dhe ne vetëm kësaj duam t’i flasim dhe ta informojmë në mënyrë të drejtë.

A jemi ne një media? Dhe pse mendojmë që Anila Basha e ka gabim?

Anila Basha tha që nuk jemi, madje e mbrojti me histericizmin që e karakterizon. Mua si gazetare këtu nuk më bën përshtypje ajo deklaratë e Anilës, por kur e vë veten në sytë e lexuesit, më bën.

Qetësohu, e dashur Anila sepse ti je e keqja më e vogël e këtij vendi por t'i marrim në rend hierarkik që fillon me bosat tu që edhe pse shpesh i ndërron rrugës sërish nuk del nga vallja, fundja të kuptoj se është e vështirë të mbijetosh sot.

Ne mendojmë ndër tjera që zonja Basha e ka gabim gjykuar nga mënyra se si e tha teksa një prej të ftuarve tjerë, Dalina Buzi tha që JOQ është më e klikuara, ndërsa Anila tha “Jo, Jeta Osh Qef nuk është media”.

Ne nuk e kuptojmë pse na paska inat Anila, ne nuk kemi asgjë personale me askënd. Nëse do kishim, për ty dhe bëmat e tua mund të shkruanim një roman. Madje mund të bëjmë lajm kur shkon në shtëpinë tënde e dehur pasi viziton idhullin tënd komshi, Saimir Tahiri, hyn kundravajtje në rrugë duke u bërë burim aksidenti, por nuk e kemi bërë sepse ti je ndër të këqijat më të vogla në sistemin ku punon. Policia e Shtetit mund të mos të ta pezullojë patentën ose mund të mos të arrestojë (siç bën me qytetarët e thjeshtë) se drejton GLK-në tënde e dehur, por le të të gjykojë opinioni publik në 72 orët e ardhshme...

anilaNë foto: (Lagjia e Anilës te Kodra e Diellit, ku hyn çdo ditë kundravajtje me GLK-në e saj.)

Por, po e dashur Anila! Më mirë bëjmë lajm me qen dhe mace, se sa t’i lëpijmë b*thën pushtetit.

Madje meqë po shkruajmë për herë të fundit për ty, të këshilloj t'i bësh opozitë pushtetit sepse kështu si e ke nisur, maksimumi do marrësh vizitat e administratës publike.

Ah, edhe diçka: Meqë na akuzove se vjedhim lajmet, të gjithë e dinë se ne me 1,946,990 gazetarët tanë kemi lajme për vete, për ty dhe për të gjithë sojin tënd. Kemi edhe fakte që ti na ke vjedhur lajme, por nuk mund të postoj screenshot-e sepse quhet reklamë...

23698572_1464859173630327_1283464152_o

Në foto: (Anila Basha dhe një prej idhujve të saj, Saimir Tahiri, gjatë kohës së hetimit nga Prokuroria).

A ka gazetarë në JOQ?

U tha që JOQ është shumë e mirë, por aty nuk ka gazetarë. Është e vërtetë që në stafin tonë nuk kemi studiuar të gjithë për gazetari (shumica po), por detyra jonë është më e vështirë se e të gjithë gazetarëve të këtij vendi. Përveç se kemi mbaruar për gazetari, ndihem e plotësuar kur mendoj se më rrethojnë kolegë që kanë mbaruar për ekonomi, drejtësi, shkenca politike, histori, etj.

JOQ nuk bën konstatim të asnjë ngjarjeje nga fusha të ndryshme, JOQ e interpreton atë duke pasur parasysh popullin. Konstatimin e bën kushdo, edhe një fëmijë në klasë të parë di të thotë “Kjo është shkolla ime dhe nuk ka ngrohje”, madje konstatimin e bëjnë më së miri gazetarët e tu me 3-4 rreshta “lajm”. Ndoshta nuk jemi më të mirët në aspektin profesional sepse më të mirët janë ulur në prehërin e politikanëve. Madje edhe gabime bëjmë, por këtu kushti kryesor është ndershmëria, në mënyrë që të përfshihemi emocionalisht në hallin e qytetarëve.

Nëse gazetarët tjerë e ushtrojnë për lekë apo famë këtë profesion ne e bëjmë me pasion. E për më tepër, e quajmë luks të punojmë të pavarur, në një kohë kur të gjithë puthin dorën e pushtetit.

Pse jemi anonimë?

Një prej panelisteve të Top Show, Mira Kazhani, u shpreh se kishte probleme me anonimatin tonë. Dikush t’i kujtojë Kazhanit, që nëse ishim aq anonimë, si mund të na telefonoje në numra personalë para pak kohësh?

Jo, Mira e ke shumë gabim. Ti na njeh shumë mirë, kolegët tu na njohin shumë mirë, Lali Eri na njeh mirë, eprorët e tu të partisë na njohin, po ashtu dhe shteti na njeh. Jemi të regjistruar edhe në QKB. Se desh harrova, po ashtu edhe shoqja jote e partisë (Anila), njeh njërin nga kolegët e mi.

Por, ka një diferencë në mes të qenit anonim dhe të qenit i famshëm. Ne nuk duam, siç e ceka më sipër, të bëhemi të famshëm. Ah, po, kauzat e popullit duam t’i bëjmë të famshme. Fytyra jonë nuk i shërben askujt nëse dalim nëpër mediat vizive, kështu që preferojmë të mos jemi të famshëm, por Mira nuk jemi anonim.

Ndoshta ju apo kushdo tjetër, flisni nga një pozitë e volitshme sepse i keni krahët e mbrojtur nga ata që i bëni PR gjithë kohës.

Me gjasë shumë prej lexuesve do e gjejnë veten këtu, pasi kur shkruajnë në inboxin e JOQ.al për probleme nga më të ndryshmet thonë në fund “Anonim t'lutem”.

E për sa kohë ne flasim me gjuhën e popullit, sigurisht që do jemi anonim, ashtu siç ata na pëlqejnë Mira.

Ju mirëkuptojmë të dashur kolegë që jeni strehuar në llogoren e pushtetarëve, konkurrenca është e madhe, mbijetesa është e vështirë dhe nuk e honepsni dot idenë që ne i themi gjërat drejt pa i ngjyrosur politikisht.

Ne ju duam shumë, sepse e dimë që kush thotë të vërtetën është delja e zezë në çdo mes e jo më në media.

JOQ nuk bën opozitë me mandate 4-vjeçare, JOQ bën opozitë në mënyrë të vazhdueshme me masën.

FUND!