Jeta Osh Qef
Home

Rinas, kthehen pas avionët e nisur nga Italia
Nga: L.Çela | Publikuar më: 30.11.2017, 23:47

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Pas rrëmujës së madhe të krijuar së fundmi në vend dhe ikjes së energjisë elektrike në aeroportin e Rinasit, një prej aeroporteve me taksat më të larta në Europë, ka lindur një tjetër problem.

Edhe pse zyrtarisht u lajmërua se situata në aeroport është nën kontroll, gënjeshtra doli sheshit brenda pak minutash.

Qytëtarët lajmërojnë për JOQ.al se dy fluturime të nisura nga Italia drejt Shqipërisë janë kthyer sërish në vendin e origjinës.

Kështu, avioni i nisur nga aeroporti i Milanos, Malpensa, pas dy orësh qëndrimi në ajër, ka bërë kthim të detyruar dhe do të aterojë në aeroportin e Barit.

Gjithashtu, avioni i nisur nga Roma për në aeroportin e Rinasit është rikthyer në Romë për arsye enigmatike, të cilat me sa duket nuk kanë për t'u bërë publike, për aq kohë që autoritetet tona e kanë situatën nën kontroll.

Se kush do t'i dëmshpërblejë udhëtarët tanë si financiarisht, ashtu edhe moralisht, askush nuk e di. Se ku do ta kalojnë natën të gjithë ata që u detyruan të kthehen, as këtë nuk e dimë.

Të paktën, në aeroportet italiane ka energji elektrike dhe pasagjerët ndoshta do ta pinë ndonjë çaj të ngrohtë, por mos u shqetësoni, situata është nën kontroll, edhe pse katastrofike!