Jeta Osh Qef
Home

Thirrja rrëqethëse e banorëve të Fierit: Nuk duam as bukë as ujë, vetëm na sillni...
Nga: L.Çela | Publikuar më: 06.12.2017, 20:56

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
850x636_Fier-Permbytjet1512468169

Fieri ishte padyshim një nga zonat më të prekura nga përmbytjet e javës së kaluar, ku qindra banorë u detyruan të braktisnin shtëpitë për t'i shpëtuar vërshimit të ujërave.

Shumë zona kanë mbetur të shkatërruara ndërkohë që disa fshatra të tjerë po mundohen t'i kthehen dalëngadalë normalitetit, por duke patur parasysh kushtet aktuale, kjo duket se do të jetë e vështirë.

Sipas banorëve të intervistuar, situata vazhdon të mbetet emergjente dhe ndërhyrja e qeverisë është më se e nevojshme.

Banorët e 400 familjeve në fshatin Hoxharë kanë kërkuar ndihmën e shtetit për të përballuar dëmet e përmbytjeve por edhe të ftohtin e dimrit.

Njëri prej tyre, Agron Hyka, qëndron prej disa ditësh në ujë në mbrojtje të vathës së bagëtive, e cila është pasuria e tij e vetme.

Ai madje nuk u afrua të jepte një intervistë për kamerën e Ora News ndërsa zgjodhi të zhvillojë një bisedë me telefon.

Fermeri: Erdhën dje ata të ushtrisë. Ne nuk kemi ku t’i çojmë bagëtitë nëpër fshat po ngordhin një nga një.

Me bagëtitë mbajnë frymën gjallë ndaj apelin për ndihmë e përcjellin me fjalë të ndera.

Banorë: Malli është si puna e fëmijës. Ai shikon çfarë do t’i hedhësh. Nuk i jep dot as makarona as oriz.

-Për veten tonë do të marrim 5 kile makarona, por malli (kafsha) s’di të hajë. Unë tre lopë kam, po të më ngordhin ato unë s’kam me se të rrojë.

Përmbytjet thonë se u kanë shkatërruar rezervën ushqimore që kishin krijuar për dimrin.

Banor: Nuk kërkojmë asgjë veç bazës ushqimore për kafshët. Po na ngordhin bagëtitë.

Hoxhara është një fshati 8 km larg Fierit dhe ndryshe nga të tjerët, ata kërkojnë vetëm bazë ushqimore për kafshët.

Veç bazës ushqimore që kishin gati, uji u ka dëmtuar edhe tokat e mbjella, ndaj pasojat do të jenë afatgjata.