Jeta Osh Qef
Home

Askush s'e thotë, por Olsi Rama merr “de facto” drejtimin e Partizanit dhe mban fjalim
Nga: S.Bardhi | Publikuar më: 07.12.2017, 13:19

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Të dielën Partizani luan ndeshjen e radhës në kampionat kundër Teutës dhe dje ka zhvilluar përgatitjet në kompleksin stërvitor të Kamzës.

Po në këtë vend po zhvillohej edhe kursi për Drejtor Sportiv që ka organizuar FSHF, kurs i cili po ndiqet edhe nga vëllai i kryeministrit Rama, Olsi Rama.

Edhe pse klubi nuk ka konfirmuar asgjë zyrtare, përflitet që në krye të të kuqve është vënë Olsi Rama.

Gjithsesi fakti që Rama po specializohet në një pozicion drejtuesi, tregon qartë qëllimin e tij për të qenë në krye të “demave”, shkruan “Panorama Sport”.

Dhe si për të përforcuar më shumë një gjë të tillë, pas kursit të djeshëm, ai ka pasur fillimisht në fushën sportive një takim me drejtuesit e stafit teknik dhe jo vetëm dhe më pas lojtarët.

Ashtu siç shihet dhe në foto, Rama është duke folur para lojtarëve duke i motivuar për ndeshjen ndaj Teutës, por edhe për vazhdimësinë e këtij sezoni.

Në një situatë të tillë mund të aludohet se ai është “de facto” drejtues i Partizanit ose thënë ndryshe, njeriu i besuar i presidentit Demi në ekip. Në një kohë që italiani Moxhi duket gjithmonë e më larg të kuqve, të kuqtë duket se kanë një drejtues të ri.