Jeta Osh Qef

Intervista e parë, Mavraj “zbërthen” veten për tifozët e Hamburgut
Nga: I.Spahiu | Publikuar më: 27.12.2016, 15:17

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
Klubi i Hamburgut ka publikuar sot edhe intervistën e parë zyrtare të Mërgim Mavrajt si futbollist i klubit të Bundesligës pas firmës. Në këtë intervistë, futbollistit të përfaqësueses shqiptare i është kërkuar të tregojë etapat e këtij transferimi, atë që e bindi të ndryshonte skuadër, si dhe të tregonte për tifozët e Hamburgut se çfarë futbollisti duhej të prisnin në pjesën e dytë të sezonit, shkruan Panorama.

mavraj

Mërgim, mirëseerdhe te skuadra e Hamburgut. Te Këlni ju ishit një pjesë e palëvizshme e mbrojtjes së tretë më të fortë të Bundesligës, pse vendosët t’i bashkoheshit Hamburgut?

Për shumë njerëz, edhe për mua, ky ndryshim ishte paksa surprizë, por situata ime me kontratën që po përfundonte në Këln dhe interesi i madh që tregoi trajneri dhe drejtuesit e Hamburgut, më bënë që të ndërmerrja këtë hap. Ndjeva kënaqësi kur dëgjova për interesimin e Hamburgut dhe zhvillova disa bisedime të mira me Markus Gisdol dhe Ditmar Baiersdorfer. Për mua, aspekti njerëzor është shumë i rëndësishëm pasi unë dua që të më kujtojnë jo vetëm si një lojtar të mirë, por edhe si një person të mirë. Është një ndjesi e mirë kur të tjerët kanë kaq shumë besim te ti dhe Hamburgu është një klub i madh me shumë tifozë. Për shumëkënd është një ëndërr të luajë me këtë klub.

Cili është roli që ju kanë besuar drejtuesit?

Unë thjesht duhet të mbaj prapavijën, të mbështet njerëzit që kam në krah dhe të kontribuoj me eksperiencën time. Dua që të kontribuoj me këto faktorë në fushën stërvitore që në janar. Do të kujdesem për gjithçka, do të marr përgjegjësitë e mia dhe të identifikohem plotësisht me këtë detyrë që më kanë dhënë. Këto janë virtytet me të cilat unë identifikoj veten dhe lojën time. Kjo është arsyeja pse gjithçka përshtatet kaq mirë.

mavraj hamburg

Çfarë lojtari duhet të presin tifozët e Hamburgut?

Unë jam një person i cili nuk dorëzohet asnjëherë, nuk trembem përballë asnjë detyre që mund të kem përpara, sado e vështirë të jetë. Si lojtar nuk jam agresiv, por mundohem të rrezatoj qetësi me aftësinë që kam në lojën me pasime. Si një qendërmbrojtës, kjo do të jetë gjithmonë një çështje ekuilibri, pasi nga njëra anë duhet të jesh i fortë sa duhet për të ndalur lojtarin më të fortë të kundërshtarit tënd, ndërsa nga ana tjetër duhet të kesh edhe një mesatare të mirë pasimi. Ndaj tifozët e Hamburgut duhet të presin një organizim të mirë loje dhe që të ruajmë portën e paprekur.

Sa e vështirë është të shkosh në një klub të ri dhe një skuadër të re në gjysmën e sezonit?

Kjo është një situatë pak komike po të merret në konsideratë fakt se unë kam qenë në fushë me Këlnin vetëm një javë më parë. Por për mua është mirë që ndeshjet vijnë shpejt. Më duhet të përshtatem shpejt dhe ndryshe nga vera, nuk kam përpara shumë ndeshje miqësore dhe tetë javë përgatitje për sezonin. Për më tepër, njoh disa lojtarë të kësaj skuadre. Me Luis Holtbi dhe Matias Ostrzolek kam luajtur te Bohum, ndërsa Nikolai Myler dhe Tom Mikel unë i njoh nga koha te Grojter Fyrth.

Si i vlerësoni javët e fundit të shokëve të tu të skuadrës?

Situata sportive është përmirësuar ndjeshëm në javët e fundit. Humbja në Mainc ishte krejtësisht e pafat, ndaj Shalkes zhvilluan një nga ndeshjet më të mira dhe morën një fitore të parë të vlefshme. Këto ndeshje kanë treguar se skuadra është e gjallë dhe ky dinozaur nuk është duke ngordhur, siç ka shkruar shumëkush. Megjithatë, duhet të jemi të qartë se është vënë vetëm themeli dhe se na pret një punë shumë e vështirë përpara.

Si do të dëshironit të kontribuonit personalisht? Te Këlni nuk munguat në asnjë ndeshje dhe ishit titullar gjatë fazës së parë…

Nuk do të mërzitesha aspak nëse kjo seri e imja ndërpritet, por sigurojmë qëndrimin (qesh). Sigurisht që do të dëshiroja të kontribuoja në suksesin e klubit dhe do të dëshiroja të tregoja atë besim që kam në aftësitë e mia. Gjithmonë ke objektiva personal, por e para është skuadra. Unë gjithmonë ndihmoj skuadrën dhe nëse nuk do të luaj, do të gjej një mënyrë tjetër për ta ndihmuar atë.