Jeta Osh Qef

Futbollisti shqiptar do rrogën: Të blej edhe unë një pulë për Vit të Ri, gjeli ka shkuar shtrenjtë
Nga: I.Spahiu | Publikuar më: 31.12.2016, 10:49

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share
agastra-470x470

Mustafa Agastra ishte një nga afrimet më të bujshme të Elbasanit në merkaton e verës, si një futbollist që pati bërë diferencën në skuadrat kur kishte luajtur. Mirëpo, problemet e shumta me dëmtimet te verdheblutë bënë që sulmuesi të mos shënonte dot në kampionat dhe të linte në mes aventurën me elbasanasit, pas përjashtimit si një nga organizatorët e bojkotit të pagave.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari pohon se pret të marrë edhe një rrogë e gjysmë nga klubi, pasi në të kundërt do t’i padisë. Sipas tij, në merkaton e dimrit ka shumë oferta në tavolinë dhe ende nuk ka vendosur ku do të luajë.

Agastra, u përjashtuat nga skuadra e Elbasanit si një nga organizatorët e bojkotit. Si qëndron e vërteta?

Unë, në fakt, kam qenë i dëmtuar në atë periudhë dhe bëja fizioterapi në Tiranë në kohën kur u bojkotua stërvitja. Si mund të kem qenë pjesë e bojkotit, ku unë nuk bëja stërvitje për shkak të dëmtimit. Nuk ka sens e gjitha kjo.

Megjithatë ju u përjashtuat, por keni ende rroga për të marrë apo jo?

Po, kam një rrogë e gjysmë për të marrë, sepse një e kemi gjobë për bojkotin. Na u tha që do na e jepnin nga mesi i dhjetorit, po asgjë. Megjithatë, shpresoj që të jenë aq njerëzorë të na i japin që ta blejmë edhe ne një pulë për Vit të Ri, sepse gjelat kanë shkuar shtrenjtë. (qesh)

Por nëse nuk u likuidojnë çfarë do të bëni?

Normalisht do të kërkoj paratë që më takojnë. Do t’i hedh në gjyq, edhe pse kjo është gjëja e fundit që po mendoj për momentin, sepse besoj se do të tregohen korrektë dhe do më likuidojnë.

Për aq kohë sa qëndruat në Elbasan nuk treguat Agastrën që militonte në skuadrat e tjera. Pse ndodhi kjo?

Dëmtimet e shumta që kam pasur më kanë privuar nga forma ime. Më vjen keq që nuk arrita të rikthej “Tigrat Verdheblu” në stadium, por po të kisha pasur mundësinë të luaja do t’ia kisha arritur këtij qëllimi.

Ku mund të luani për pjesën e mbetur të sezonit?

Realisht nuk e di, edhe pse kam shumë oferta për momentin dhe po i shoh me kujdes. Aktualisht jam rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që kam pasur dhe do të shoh se çfarë do të bëj me të ardhmen time.