Jeta Osh Qef
Home

Protesta të dhunshme në Greqi, përkujtohet vrasja e 15-vjeçarit nga policia
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 06/12/2018 19:50

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një protestë e dhunshme ka nisur mbrëmjen e kësaj të enjteje në Athinë, në përvjetorin e vrasjes së të riut Alexis Grigoropoulos i vrarë në mënyrë fatale nga forcat policore.

 Alexis Grigoropoulos.

Rreth 1.700 persona kanë marshuar në Athinë dhe protesta ishte paqësore deri kur të rinjtë i kanë vënë zjarrin plehrave në rrugë dhe kanë ngritur barrikada në rrethin qendror Exarchia të kryeqytetit, ku Alexis Grigoropoulos u qëllua për vdekje me 6 dhjetor 2008.

Zonën e Exarchia e kanë shpallur si një “kështjellë” ku këmba e policisë është e ndaluar të shkelë.

Sipas mediave të huaja në Exarchia po zhvillohet një betejë mes protestuesve dhe policisë, ku janë djegur makina dhe i është vënë flaka edhe një pallati.

Anarkistët kanë hedhur molotov drejt policisë, ndërsa këta të fundit u janë përgjigjur me granata gazi lotsjellës.
Po ashtu në Selanik janë shkaktuar trazira, ku protestuesit kanë ngritur barrikada në rrugë dhe kanë hedhur kokteje molotovi drejt policisë.

Çdo vit në Athinë në këtë datë protestohet për të përkujtuar të ndjerin Alexis Grigoropoulos dhe për të ngritur edhe një herë zërin kundër dhunës policore.

Grigoropoulos ishte 15 vjeç kur u qëllua për vdekje gjatë një nate teksa ishte me shokët e tij në Exarchia.

Ai u vra nga një polic pas një grindjeje të momentit dhe që atëherë vdekja e të riut ka shkaktuar trazira në Greqi.

Polici, Epaminondas Korkoneas, u akuzua për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Polici i dytë i pranishëm u dënua me 10 vjet burg dhe iu dha lirim me kusht disa vjet më parë.