Jeta Osh Qef
Home

Thirrja e fortë nga qytetari: Prindër, ju lutem dilni dhe protestoni për fëmijët tuaj!
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 06/12/2018 20:44

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga qytetari Olsi Duzha për JOQ Albania

Dëshiroj t’u bëj një thirrje prindërve shqiptarë të mbështesin fëmijët e tyre studentë në protestë. Mund ta publikoni me emrin tim sepse në kësi rastesh anonimati nuk jep shembull. Faleminderit!

Pak nga të rinjtë e sotëm janë të njohur me llotaritë shoqërore të kohës së monizmit. Në pamundësi për të blerë një televizor, rrobalarëse apo frigorifer, prindërit tanë organizoheshin me miq e shokë ku secili shtinte lekë. Në fund kishte një fitues, i cili përcaktohej nga "një letër me vrimë" apo tjetërsoj.

Prej vitesh tanimë, taksapaguesit shqiptarë shtinë lekë që t’i ndryshojnë jetën një individi. Paguajnë pjesën e tyre që “Piter Pani” të kapërcejë botën me charter për vizita onorifike, të botojë e përkthejë në shumë gjuhë shkrimet e tij, të çelë ekspozita në metropolet e botës, të vishet çdo ditë kokë e këmbë si askush nga udhëheqësit botërorë, e si përfundim, të neveritet nga varfëria e tyre, t’u thotë që do largohet kur t’i dojë vetja e jo kur e kërkon sovrani. I lumtë vetja!

Në historinë e pluralizmit shqiptar, populli ynë luan lloto me fatin e tij.

I heq komunitetit një mjek të mirë dhe e transformon në kryebashkiak që firmos leje ndërtimi, merr një individ që nuk ka shkëlqyer kurrë në profesionin e tij dhe e bën burrë shteti. Arsimoni fëmijët në shkollat që ndërtoi Koço Kokëdhima, ku mund të thyejnë kokën nga punimet e lodhura, ku i gërryen lagështira, ku për mësues kanë anëtarë partie, të pangrohur, të përdorur, të rekrutuar.
Pastaj i lëshoni si qenushë për të lëpirë politikanë, pastaj i fotografoni dhe qeshni me ta. I merrni me vete nëpër kafene që kur janë në karrocë, i shpini të luajnë në lokale me lodra dhe pastaj kur rriten ankoheni se po ngelen kafeneve.
Çfarë hipokrizie!

A protestoi ndonjë prind për mungesën e ngrohjes në kopshte? A protestoi kush për punimet pa standard nëpër shkolla?

A protestoi kush për lejet e panumërta që iu dhanë kafeneve rrotull shkollave? Për llotot apo  bilardot që i janë ngjitur murit të shkollës? Po për mungesën e librave, bibliotekave, infrastrukturës shkollore a protestuan prindërit?

Po për "pedagogët" me diploma plepash, dushku, për mësuesit pa diplomë, a protestuan prindërit?

Po për fëmijët që kanë 27 vjet që po largohen?

Kjo është trashëgimia juaj të dashur prindër.

Kjo është Shqipëria që po u lini fëmijëve tuaj.

Askush s’ka të drejtë të denigrojë studentët protestues! Sidomos ju që me heshtjen tuaj keni kuar këtë klasë politike. Mbushni sheshet.

Mbroni të ardhmen e fëmijëve tuaj.