JOQ Albania
Home

Media gjermane: Krizë institucionale Presidencë – Kryeministri, shkak bëhet Cakaj
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 11/01/2019 20:12

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Mosdekretimi i Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga presidenti Ilir Meta nxjerr në pah krizën mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë.

Kriza është vënë re edhe nga media gjermane "Deutsche Welle". Kjo e fundit shprehet se "molla e sherrit" është bërë Gent Cakaj, pas refuzimit të presidentit Ilir Meta, për ta dekretuar ministër të Jashtëm të Shqipërisë.

Deklarata e Metës:

Gent Cakaj ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.

Për të argumentuar profilin ‘e papërshtatshëm’ të Gent Cakajt, presidenti i referohet disa deklaratave të dhëna nga Cakaj vitin e kaluar, në një emision televiziv ku është folur për shkëmbimin e territorreve apo korrigjimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës.

Meta citon Cakajn të ketë thënë se shkëmbimi i kufijve po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor.

Një argument tjetër është moskryerja nga Gent Cakaj, e detyrimit ligjor për marrjen e Certifikatës së Sigurisë. Në qershor 2018, nga këshilltar i kryeministrit Rama ai u emërua zv.ministër i Jashtëm, gjë që për Presidentin Meta “përbën shkelje penale, të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi .

Kjo gjë jo vetëm ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor.

Kryeministri Rama e quajti të turpshëm refuzimin e Presidentit Meta dhe i kërkoi madje ndjesë Kosovës. Presidenti Meta reagoi duke thënë, se integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të paprekshme.
Të premten, kriza mes presidencës dhe kryeministrisë u thellua, pothuajse “in extremis” përmes postimeve në rrjetet sociale nga të dyja palët.
Presidenti Meta shkruan në rrjetet sociale se kryeministri Rama bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në pritjen me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, Rama e quajti refuzimin e dekretimit të Gent Cakajt “avaz të vjetër të Presidentit të Republikës”.

I riu 28-vjecar nga Prishtina, Gent Cakaj është kthyer në personazhin e ditës në Tiranë. Duket se është shndërruar edhe në një “casus belli” për shpërthimin publik të shkakut të krizës institucionale në Shqipëri mes Presidencës dhe Kryeministrisë, pas daljes në pah të refuzimit.

Duket se shkaku real është qëndrim i ndryshëm i presidentit Meta dhe Ministrit të jashtëm Bushati, ndaj mundësisë për të normalizuar marrdhëniet Kosovë- Serbi përmes ndryshimit të kufijve. Presidenti Meta dhe ministri Bushati nuk e mbështesin këtë opsion, duke qenë kështu në të njëjtën linjë me qëndrimin zyrtar të Gjermanisë.

Kryeministri Rama ka evituar të deklarojë qëndrimin e tij, duke lënë të kuptohet që mund edhe të mos e përjashtojë si opsion. Si Meta edhe Bushati kanë shprehur në mënyrë konseguente idenë, se ndryshim i kufinjve sjell rreziqe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Postimi i Ilir Metës në Facebook:

Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë presidentit për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!"