JOQ Albania
Home

“Vunë dorën në zjarr” se Kryeministri do ikte/ Kush shkoi sot në shtëpi Kryemadhi, Basha apo Rama?
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 16/02/2019 18:11

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ditën e sotme në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" u zhvillua protesta e paralajmëruar nga opozita prej disa javësh.

Aleatët opozitarë dhe qytetarë mbushën sheshin para Kryeministrisë në orën 11:00, ndërsa vetëm pak minuta më vonë situata u tensionua, duke mësyer ambientet e Kryeministrisë. Qindra qytetarë çanë kordonin e policisë dhe filluan të prishnin skelat që shërbenin për rrethimin e derës së Kryeministrisë dhe me dërrasat që kishin në duar thyen xhamat e derës.

Ky ishte momenti kur policia filloi me hedhjen e gazit lotsjellës, ç’ka shkaktoi edhe gjendje të të fiktit tek disa protestues, por edhe efektivë të policisë, të cilët me shpejtësi u shoqëruan në spital për ndihmë mjekësore.

Reagimet e spektërve politikë ishin të pakta, pasi ishte thënë se protesta do të ishte e qytetarëve, mbështetur nga opozita, madje liderët, referuar këtu kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi dhe atij të PD, Lulzim Basha kishin "vënë dorën në zjarr" se sot Rama do të shporrej nga Kryeministria.

E ftuar në një puntatë të emisionit "Opinion", në TV Klan, Monika Kryemadhi, teksa theksoi se thelbi i protestës është synimi i largimit të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, deklaroi ndër të tjera:

Nesër ose ikin në shtëpi Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ose ikën Edi Rama."

Në fakt sot protesta e paralajmëruar se do të rrëzonte Ramën, përfundoi në orën orën 16:00 dhe këtë e komunikoi vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas diskutimit me aleatët, duke lajmëruar se protesta do të rikthehet sërish të enjten.

Në këtë pikë natyrshëm lind pyetja pse Basha e mbylli protestën dhe pse Kryemadhi e mbështeti këtë vendim të tij?

Pikërisht sot, kur qytetarët ishin të tërbuar dhe u kishte ardhur në majë të hundës me këtë qeveri dhe reagimi i tyre ishte si në asnjë protestë tjetër, Basha ua preu hovin për t’u rikthyer në selinë blu si triumfues.

Pikërisht sot, Basha kishte mundësi t’i tregonte shqiptarëve se i ka vënë kapak marrëveshjes së 18-majit dhe nuk është duke favorizuar planet e Ramës.

Në fakt këtë Basha nuk e bëri.

Pikërisht sot, Kryemadhi kishte mundësi t’i tregonte shqiptarëve që nuk lufton sa për një karrige, por për popullin shqiptar që është i tërbuar nga padrejtësitë që i janë bërë ndër vite.

Në fakt të dy liderët e opozitës nuk zgjodhën ta bënin këtë gjë, por duhet thënë se i çuditshëm ishte edhe reagimi i Berishës, i cili preferoi që sot opozita thjeshtë të prodhonte lajme dhe mos të bëhej pjesë e historisë.

Por për tu rikthyer tek çështja më delikate, sipas jush kush shkoi sot në shtëpi Kryemadhi, Basha apo Rama?

/JOQ Albania