JOQ Albania
Home

Ekskluzive/ Zbulohet se si Bashkia shkel ligjin me parkimet në rrugët e Tiranës
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25/02/2019 21:02

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Të gjithë qytetarëve që jetojnë në Tiranë dhe kanë një automjet, me siguri u ka rastisur së paku një herë që të parkojnë në rrugët me pagesë të kryeqytetit. Në fakt shanset janë të mëdha që kjo të ketë ndodhur, pasi jo vetëm rrugët kryesore, por edhe ato dytësore janë bërë pothuajse të gjitha me pagesë.

Sigurisht e keni vënë re se pasi bëni pagesën nëpërmjet aparatit tuaj celular në numrin telefonik 50500 të vendosur në dispozicion nga bashkia, menjëherë ju vjen një mesazh konfirmimi se mjeti juaj me targën përkatëse është regjistruar me sukses në sistemin e parkimit.

Më tej jepen edhe detajet e tjera si vendparkimi, zona, data, orari dhe shuma e tarifës e cila varion nga zona në zonë. Në fund fare, mesazhi përmbyllet me një fjali ku shprehimisht thuhet se: “Pagesa e parkimit shkon në fondin e gjelbërimit e pyllëzimit”. Siç dihet, pyllëzimi është iniciativë personale e vetë kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.

Por në fakt pikërisht këtu fillon shkelja e ligjit. Sipas nenit 7, pika 7 e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë thuhet shprehimisht se: “Pjesa e të ardhurave nga parkimet me pagesë, që i takon entit pronar të rrugës, destinohet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sinjalizimit rrugor dhe zgjerimin e hapësirave të destinuara për parkim.” Pra e thënë thjesht, Bashkia Tiranë abuzon me tarifat pasi ligji e thotë në mënyrë të shprehur se tarifa shkon për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sinjalizimit rrugor dhe zgjerimin e hapësirave të destinuara për parkim, sepse pikërisht për atë po paguan qytetari.

Ndërsa bashkia këto të ardhura i përdor për fondin e gjelbërimit kur në fakt ka fond tjetër për atë punë, pasi të gjithë banorët e Tiranës paguajnë Taksën e Gjelbërimit. Bashkia është shprehur se parkingjet me pagesë do të ekzistojnë pasi me paratë e mbledhura prej tyre do të minimizohet  ndotja duke përdorur këto para për të mbjellë pemë. Ndërsa ne fakt Kodi Rrugor e thotë qartë që pagesa duhet të shkojë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, sinjalizimin rrugor si dhe zgjerimin e hapësirave të destinuara për parkim, ku siç dihet, nevoja për infrastrukturë rrugore, sinjalizim dhe zgjerim të hapësirave për parkim është shumë herë më e madhe se mbjellja e pemëve. /JOQ.al