JOQ Albania
Home

Ku po shkojmë? Dy efektive simbol të vendit, me dy fate të ndryshme
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 12/03/2019 15:50

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shpesh në media është thënë se Rama dhe ajo që ai përfaqëson janë me dy standarde, por kjo nuk mund diktohej dhe të vihej re si me "lupë", pas ngjarjes që ndodhi ditën e djeshme në rrugën Sami Frashëri, pranë "Petro Ninit" .

Dy familje u tentuan me çfarë do lloj mënyre të nxirren nga shtëpia e tyre ku kanë jetuar dhe janë rritur thuajse tre breza, sepse përmbarimi, sikurse thonë banorët, ndonëse në kundërshtim të plotë me ligjin donte tu shkatërronte pronën dhe ti nxirrte në qiell të hapur.

Por policia dhe përmbarimi hasën në rezistencë nga familjarët, të cilët bënë qëndresë, mes tyre edhe efektivja e forcave "Shqiponja", Blerta Dervishi, si vajza e familjes Dervishi.

Blerta nën statusin e një njeriu të thjeshtë dhe jo me uniformën e policisë, mbrojti pronën e vet dhe familjarët e saj, ndonëse ishin kolegët që e kanë tërhequr zvarrë, për të mos i prishur punë përmbaruesit.

DHE PAS KËSAJ Ç’NDODHI ME BLERTA DERVISHIN?

Blerta Dervishi u pezullua nga detyra me motivacionin se kishte penguar kolegët e saj në ushtrimin e detyrës. Kolegët që i dhunuan vëllanë, nusen e vëllait, kjo e fundit shtatzënë 5 muajshe, fëmijët e familjes, prindër dhe gjithë të afërm.

Në fakt po të risjellim në vëmendje dhe të zhvendosemi pak në kohë, një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe me efektiven e forcave të "Shqiponjës", Ina Nuku, e cila u plagos gjatë protestës që banorët e Astirit, po zhvillonin para ambienteve të Kuvendit. Edhe atyre njësoj si Blertës po u prisheshin shtëpitë dhe kishin dalë në mbrojtje të tyre.

Ina Nuku u dërgua për një përkujdesje shëndetësore jashtë vendit, me qëllim që ajo sa më parë t’i rikthehej normalitetit, madje sapo mbërriti në Shqipëri u prit nga Kryeministri Rama, e shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Sandër Llleshaj.

POR CILI ËSHTË QËNDRIMI I POLICISË NË TË DYJA KËTO RASTE?

Njërën e pezullon dhe tjetrës i jep medalje. Blerta dhe Ina sikurse shihet edhe nga foto e mëposhtme janë shoqe, në repartin e "Shqiponjave", standardi i përdorur përballë tyre është i dyfishtë.

Ky është shteti që na përfaqëson dhe këta janë njerëzit që dita-ditës po rrisin frikën tek njerëzit, se çfarë mund të na ndodhë nesër.