JOQ Albania
Home

Policia e pafuqishme kërkon ndihmën e qytetarëve/ “E gjithë Shkodra e di kush janë vrasësit dhe në çfarë drejtimi kanë ikur”
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 30/03/2019 13:01

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ngjarja e rëndë e ekzekutimit të dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës ka treguar edhe njëherë se rendi në qytetin verior ka kohë që ka degraduar.

Kontrollet policore në një qytet si Shkodra janë pothuajse inekzistente, por duke gjykuar nga shpeshtësia e atentateve dhe vrasjeve që kanë kapur numrin 11 brenda 8 muajve, me asnjë autor të vënë para drejtësisë, është tregues se diçka në punën e policisë nuk shkon siç duhet.

Edhe njëherë policia ka treguar se është e pafuqishme ndaj bandave që kanë zaptuar Shkodrën dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për zbardhjen e situatës.

NJOFTIMI

Policia e Shkodrës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që çdo informacion sado të vlefshëm që mund të kenë të njoftojnë  në numrin 112 ose në numrin 0 69 410 2147 duke ju garantuar ruajtjen e plotë të anonimatit.

Shkodra njihet si një prej qyteteve më problematike përsa i përket ngjarjeve kriminale të pazbardhura dhe pikërisht ashtu siç thuhet edhe nga gazetari i kronikës së zezë Artan Hoxha “Policia e Shkodrës është kthyer në ndërmarrje funerale, pasi vetëm mbledh kufoma rrugëve të qytetit!”

Kalvari i hakmarrjeve të vjetra midis familjeve në qytetin verior vazhdon ende, ku kryesojnë familjet Bajri dhe Lici.

Policia ka zbarkuar në familjen Lici dhe ka marrë në pyetje anëtarët në lidhje me ngjarjen e ndodhur, por nuk ka ende një autor të dyshuar.

Drejtori i Policisë së Shkodrës Vehbi Bushati është gjendur në vendngjarje ashtu edhe si në herët e tjera kur kanë ndodhur atentate, por rezultate në asnjërën prej vrasjeve nuk janë parë.

“Zinxhiri komandues i policisë së Shkodrës, nëse nuk kujtohet kush t’u largojë nga detyra, bëhuni burra jepni dorëheqjen se më keq se kaq nuk ka ku shkon”, deklaron gazetari Artan Hoxha në kritikën e tij ndaj kupolës drejtuese të Policisë së Shkodrës. Ai shton në një fjali tejet domethënëse që nuk mund të kalojë pa u komentuar… "Në të vërtetë e gjithë Shkodra e di kush janë vrasësit dhe në çfarë drejtimi kanë ikur, madje dhe në çfarë shtëpie janë duke ndjekur lajmet mbi vrasjen në tv."

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.

Ajo është shprehur se Shkodra gjendet nën mëshirën e larjes së hesapeve dhe situata duhet të tmerrojë jo vetëm kryeministrin por të gjithë qeverinë, dhe se shteti duhet të marrë përsipër përgjegjësinë.

Por jo më larg se dje ky i fundit u shpreh se Shqipëria është një vend i sigurt. Pikërisht një ditë pas deklaratës dy vëllezër biznesmenë vriten në derë të shtëpisë.

A konsiderohet ky si një tjetër dështim i Policisë së Shtetit dhe kryesisht asaj të Shkodrës kur shifrat flasin qartë dhe s’ka vend për manipulim…?! 11 vrasje pa autor në 8 muaj… pyetja që bie është: A ka dështuar Policia e Shtetit?!

F.T për JOQ Albania