JOQ Albania
Home

SGS Albania e “ha sa krahu”, Gjykata Administrative konfirmon gjobën prej 410 mijë euro
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 30/03/2019 18:22

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Gjykata Administrative ka lënë në fuqi gjobën prej 410 mijë euro që Autoriteti i Konkurrencës i vendosi kompanisë SGS Albania, e cila ka me koncesionin kontrollin teknik të automjeteve.

Vitin e kaluar autoriteti hapi një hetim të thelluar për koncesionin e kontrollit teknik të automjeteve.

Nga hetimet rezultoi se kompania SGS kishte abuzuar me pozitën monopol duke u vendosur qytetarëve kushte të padrejta si dhe duke mos plotësuar kushtet e kontratës koncesionare për të rritur numrin e sporteleve të lëvizshme. Në këtë mënyrë do të shmangeshin edhe rashët dhe pritjet e gjata të qytetarëve.

Për këto shkelje komisioni i konkurrencës vendosi ta gjobisë kompaninë me 5.7 për qind të xhiros për vitin paraardhës që në vlerë korrespondonte me 51 milionë lekë ose 410 mijë euro.

SGS e paditi gjobën në Gjykatën Administrative të Tiranës. Por pas procesit gjyqësor, gjykata e e rrëzoi kërkesën e kompanisë koncesionare duke e konsideruar si të drejtë gjobën.

Autoriteti i konkurrencës njoftoi se detyrimi prej 51 milionë lekësh tashmë është ekzekutuar dhe ka kaluar në buxhetin e shtetit. Gjithmonë kontratat koncesionare në Shqipëri kanë qenë temë e nxehtë debati gjatë viteve të fundit, për abuzime dhe përfitime të padrejta në kurriz të qytetarëve.

Ky është rasti i parë kur Autoriteti i Konkurrencës ndëshkon me gjobë një kompani koncesionare, dhe përveç kësaj i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës të detyrojë kompaninë që të përmirësojë cilësinë e shërbimit.

Njoftim për shtyp i Autoritetit të Konkurrencës i publikuar në datën 29.03.2019:

Ju njoftojmë se më datë 28.03.2019 Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë la në fuqi vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 562, datë 25.10.2018, “Për vendosje gjobe dhe detyrime ndaj ndërmarrjes “SGS Automotive Albania” SHPK në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe dhënien e disa rekomandimeve” Detyrimi prej 51,091,005 (pesëdhjetë e një milion e nëntëdhjetë e një mijë e pesë) Lekë, është ekzekutuar dhe ka kaluar në buxhetin e shtetit."