JOQ Albania
Home

“Lali Eri rrezikon 15 vjet burg, këto janë 3 veprat penale që rëndojnë mbi të”
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 30/03/2019 19:44

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Situata politike në vend është në një kaos politik dhe kryebashkiaku Erion Veliaj po krijon ndarje me parimin e tij "ne të mirët" dhe qytetarët që mbështesin opozitën janë "negativët". Mesa duket kjo platformë është si "copy paste" e taktikës së kryeministrit Edi Rama.

I ftuar në emisionionin Opinion, para dy ditësh, Veliaj konfirmoi se do të vijojë ndërtimi i kullave në kryeqytet, do shembë përfundimisht Teatrin Kombëtar dhe do e kthejë zonën afër Liqenit Artificial në një kompleks të madh betoni me kulla shumëkatëshe.

Ndryshe nga fushata e vitit 2015, që premtoi se Tiranën nuk do e betonizonte, madje mund të vendoste moratorium për ndërtimet, që në fund doli një mashtrim i madh, këtë mandat Lali Eri e pranon hapur se edhe sipas vizionit të Ramës, ai do ndërtojë Tiranën në lartësi. Kulla, kulla, kulla dhe pallate shumëkatëshe.

Sipas "Boldnews.al", përfshirja e parave të drogës në ndërtimin e Tiranës mbetet krimi më i madh që sot shihet si zhvillim nga sytë e Rilindjes, por e nesërmja do jetë shkatërrimi i jetës së çdo qytetari, që do detyrohet të punojë për trafikantë që fshihen si ndërtues.

Me veprimet dhe mosveprimet e tij, nëse drejtësia do ishte “e drejtë” që të funskiononte tamam pa pyetur se kush je ti e çfarë posti mban, Lali rrezikon të dënohej me 15 vjet burgim, për akuzat: “Pastrim të produkteve të veprave penale, shpërdorim detyre, falsifikim të dokumentave dhe ndikim i paligjshëm të funksionarëve publik”.

Veliaj në mbështetje të trafikantëve që pastrojnë paratë në ndërtim

“Nuk rri me lacë, të burgosur apo ordinerë”. Kështu deklaroi Veliaj në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. Lali Eri pranoi një të vërtetë. Ai nuk rri me trafikantë ordinerë, as me gjobaxhi të vegjël, statura e tij kërkon tjerë personazhe, pikërisht ata që sot njihen si biznesmenë të mëdhenj.

Veliaj jeton mes grupit të oligarkëve, që nuk janë “laca të dhunshëm”, por biznesmenë që të ngrohin xhepin. Veliaj nuk rri me të fortë! Po, është e vërtetë, ai vlerëson këdo trafikant të “amnistuar”, që sot njihet si pronar ndërtimi.

I tillë është edhe Edmond Bego, një ish-i dënuar për trafik droge që me shumë lehtësi, Veliaj ia dha lejen e ndërtimit në zonën e Unazës së Re.

Por ndërsa Veliaj u pyet nëse ekziston rreziku që nëpërmjet lejeve të shumta të ndërtimit që po jepen në Tiranë të pastrohen paratë e drogës, ai ka një përgjigje epike, prej një mashtruesi patologjik.

Ndonëse kreu disa lëvizje të çuditshme para përgjigjes, u shpreh se ai bashkëpunon ngushtë me prokurorinë dhe drejtorinë e pastrimit të parave për të verifikuar bilancet e kompanive fituese të ndërtimit.

Megjithatë, pranoi se dikush e merr lejen dhe me pas ai ja jep me nënkontraktim një tjetër kompanie. Pastrimi i parave të drogës është kthyer në standard nga Lali Eri, ndonëse kapet nga disa kleçka ligjore, të cilat e lejojnë një kompani që të nënkontraktojë një tjetër.

Për të “kamufluar” të vertetën, ai lejet për ndërtimin e pallateve, apo kullave ua jep kompanive me “emër”, por këta të fundit, pasi marrin lejen zhvillimore për kryerjen e punimeve, nënkontraktojnë një tjetër kompani, pikërisht pas saj dyshohet se po pastrohen paratë e dyshimta të drogës, një shqetësim i ngritur nga opozita prej të paktën tre vitesh.

Oligarkët e qeveritarët janë bërë njësh me “lacat e drogës”, që sot po kthehen në biznesmenë. Kjo metodë e ndjekur ka vend për akuzën: “Pastrim i produkteve të veprës penale”

2-Shembja e Teatrit Kombëtar

“Do prishet Teatri Kombëtar dhe do hapet gara për kompaninë fituese”-tha Erion Veliaj për planin e ri 4-vjeçar. Numri një i bashkisë së kryeqytetit dha një lajm të vërtetë kur shprehet se do shembet Teatri Kombëtar, por mashtron qartësisht kur argumenton se për ndërtimin e teatrit të ri dhe të shtatë kullave pranë, do hapet garë e “ndershme” për çdo kompani ndërtimi që do të japë ofertën më të mirë.

Ajo tashmë është paracaktuar, Edi Rama dhe Erion Veliaj ia kanë premtuar kompanisë “Fusha.sh.p.k” ngritjen e kullave shumëkatëshe, në një nga zonat historike të qytetit të Tiranës, fare pranë bllokut të ministrive dhe Bashkisë së Tiranës.

Në këtë rast, ka elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave, pasi ka tjetërsuar pronën publike, duke ia ofruar një privati në kundërshtim me ligjin.

3-Miqësia me ish-kryeprokurorin e Tiranës Petrit Fusha

“Po e kam takuar vetëm një herë, pasi më kërkonte për çështjen e celebrimit në martesën e djalit. Nuk ka asnjë lidhje hetimi i prokurorisë me këtë takim për vdekjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë”.

Kështu deklaroi Lali Eri, që edhe në këta rast ndonëse u kapërdi dy tre herë nga sikleti i një pyetje që erdhi nga qytetarët, megjithatë qe në gjendje të jepte mashtrimin aty në moment.

Kryebashkiaku u shpreh se e ka takuar për celebrimin e djalit të kryeprokurorit kryeqytetas, por ndërsa Lali Eri shijonte dasmën e madhe, familja e Ardit Gjoklajt ende ishte me lot ndër faqe, për humbjen e jetës në mënyrën më tragjike në Landfillin e Sharrës.

Bashkia e Tiranës ishte institucioni që kishte detyrimin ligjor të kontrollonte kushtet e punës, sigurimin e punonjësve, apo verifikimin  e kompanisë nëse e kishte zbatuar oase jo kontratën. U desh vdekja e 17-vjeçarit për të zbuluar se në Sharrë, “mafia e plehrave”, kishte punësuar minorenë, i paguante 250 mijë lekë të vjetra në muaj, punonin nën rrezikun e sëmundjeve infektive dhe pa asnjë kusht teknik.

Pavarësisht shkeljeve që shkonin drejtëpërdrejtë në zyrën e Veliajt, ai mundi ta mbyllë çështjen, dyshohet nëpërmjet mikut të tij Petrit Fusha, kryeprokuror i Tiranës. Dhe si “rastësisht” kompania “Fusha sh.p.k” që është në pronësi të të afërmve të ish-kryeprokurorit kryeqytetas, fiton qindra tendera të punëve të bashkisë, e mbi të gjitha i jepet leja për shtatë kulla në afërsi të Tetarit Kombëtar.

Çdo prokuror këtë rast do e hetonte për akuzën: “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Të gjitha akuzat bashkë, edhe me masa lehtësuese, do kapnin 15 vite dënim…, që do ishte rruga e fundit me bicikletë, në aksin Bashki-Burgu 313.