JOQ Albania
Home

“Shatërvan” lekësh në Devoll, 500 milionë lekë Paulinit të GEGA OIL
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25/06/2020 19:40

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Si ju shkoi dita sot? E pitë kafen? Ju bëftë mirë, sepse shumë të tjerë nuk kanë lekë për ta pirë. Madje luftojnë përditë për bukën e gojës, pasi edhe nëse je i diplomuar, ka shumë mundësi të jesh i papunë, ose të jesh duke punuar kamerier. E kam fjalën për ju, populli i thjeshtë, se pjeshkat dhe pjeshkushët e Rilindjes që kanë përmbytur administratën me injorancën dhe paaftësinë e tyre, nuk pijnë kafe si ju, por hanë dreka e darka me rrogën që marrin kot në administratë.

Por përveç kësaj kategorie, janë edhe oligfarkët e mëdhenj që ndonëse janë akuzuar për evazion fiskal, për fshehje të ardhurash apo kalim të paligjshëm të shumave të madha të parave në kufi, përsëri vazhdojnë të fitojnë tendera të majmë. I tillë është rasti i Paulin Gegës, administratorit të GEGA OIL.

Nëse ju kujtohet, vetëm pak kohë më parë, një depozite e GEGA OIL u ça në Porto Romano, duke shkaktuar një dëm të pallogaritshëm mjedisor. Qindra ton naftë vërshuan në tokë duke u bërë edhe objekt qesharak, pasi përveç ndotjes masive të mjedisit, qindra njerëz vrapuan me kova, shishe, bidona e madje fuçi në dorë për të marrë sa më shumë nga nafta e derdhur. Një gallatë më vetë ishte edhe fakti që pothuajse asnjë media nuk e përmendi këtë masakër ndaj mjedisit, pasi siç duket shpatullat e Paulinit ngrohen fort nga Rilindja.

Kësaj rradhe, Paulin Gega ka futur në xhepin e tij të stërmadh rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH dhe këto para nuk ia ka dhënë ndonjë bashki e madhe, por Bashkia Devoll, e cila numëron jo më shumë se rreth 26 mijë banorë me një sipërfaqe prej reth 458 kilometra katrorë.

Këto para janë dhënë nëpërmjet tenderit me objekt “Blerje karburant”. Tenderi është dhënë nga vetë kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro dhe nuk ka patur asnjë ankesë nga pjesëmarrësit e tjerë. Fitues është shpallur kompania "GEGA CENTER GKG SHPK" me pronare Donike Gega, bashkëshortja e Paulinit.