JOQ Albania
Home

“Dashuria” e çuditshme e Lali Zdromsit/ UKT jep miliarda lekë ndaj të arrestuarit për vjedhje ndaj shtetit
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29/06/2020 22:26

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një “dashuri” e çuditshme ka pushtuar Erion Veliaj-n, kryetarin aktual të Bashkisë Tiranë për sa i përket personave që kanë shkelur ligjin e që madje edhe janë arrestuar për vjedhje ndaj shtetit. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur Lali Zdromsi siç e thërrasin thuajse të gjithë tashmë, i ka dhënë miliarda lekë tendera kompanive që administrohen apo janë në pronësi të individëve që kanë patur probleme jo të vogla me ligjin. Nuk dihet arsyeja e këtyre lëvizjeve, aq më tepër kur fituesit janë shpallur thuajse gjithmonë kompanitë që ose garonin me kompani të tjera që nuk ofronin asnjë vlerë, ose ata që ofronin vlerat më të larta.

I tillë është rasti që do ju paraqesim sot. Ujësjellës Kanalizime Tiranë, në varësi direkte të Bashkisë Tiranë dhe Erion Veliaj-t, duket se gjithmonë e më tepër është shndërruar në “kuçedrën” që vetëm po gllabëron para të qytetarëve shqiptarë. Konkretisht bëhet fjalë për tenderin me referncë REF-54279-03-12-2020, me objekt “Rikonceptimi i skemes se furnizimit me ujë në zonën e Qesarakes Rr."Shefqet Kukës" dhe me fond limit 144.227.727 lekë të reja pa TVSH.

Në këtë tender kanë marrë pjesë 6 kompani apo bashkime kompanish, nga të cilat është shpallur fitues bashkimi i operatorëve ”Arbtrans-2010” sh.p.k & ”Everest” sh.p.k & ”Kronos Konstruksion” sh.p.k me vlerë të ofruar më të lartë se 4 kompani të tjera, përkatësisht 127,323,491 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1,5 miliardë lekë të vjetra me TVSH. E çuditshme, por plotësisht e vërtetë. Prisni, prisni, se ka më shumë. Diferenca mes fituesit dhe kompanisë që ka ofruar vlerën më të ulët është jo pak, por plot 200 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Pra, duke supozuar se fituesi nuk do të vjedhë aspak, Lali Zdromsi dhe drejtori i UKT, Redi Molla, do të fusin në xhep diferencën prej 200 milionë lekësh me TVSH. Një fjalë goje apo jo? Ndoshta për ju që po e lexoni nuk janë një fjalë goje, sepse kaq shumë para me shumë mundësi nuk do t’i shikoni kurrë në jetën tuaj.

Por le të bëjmë një analizë të fituesëve. Kompania ”Arbtrans-2010” sh.p.k ka administrator dhe pronar të vetëm Fatmir Firi-n, një personazh i arrestuar në shtator të vitit 2019 bashkë me disa biznesmenë të tjerë me disa akuza të rënda si “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, “Fshehje të të Ardhurash”, “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve” etj. Ata u akuzuan se i kishin shkaktuar shtetit shqiptar plot 30 milionë euro dëm nëpërmjet këtyre skemave. Pikërisht, njëri prej tyre ishte edhe pronari i kompanisë “Arb & Trans 2010”, Fatmir Firi i cili u dënua nga Gjykata me 20 ditë burg. Por ky fakt nuk e ka stepur aspak Lali Zdromsin që t’i japë jo një, por disa tendera me vlera shumë të majme.

Kompania tjetër bashkë-fituese është gjithashtu një peshkaqen i madh i tenderave publik. Behët fjalë për ”Everest” sh.p.k me administrator dhe bashkëpronar Sokol Çupi. Kjo kompani është ajo që ka kryer punimet në projektin e Velierës në Durrës. Projekti me një vlerë rreth 6 milionë USD pati kundërshti të forta nga aktivistët pasi do të betonizonte një zonë e cilësuar si thesar i vërtetë arkeologjik dhe e klasifikuar si zonë arkeologjike “A”. Ndërsa kompania e tretë dhe e fundit në këtë bashkim operatorësh fitues, është “Kronos Konstruksion” sh.p.k me administrator dhe pronar, Vasil Jovani.