JOQ Albania
Home

“Kura magjike” për koronavirusin, arrestohet mjeku mashtrues që premtonte shërimin e sëmundjes
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 30/06/2020 12:36

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pandemia e koronavirusit është përhapur me ritme të shpejta në mbarë globin prej momentit të parë të shpërthimit në Wuhan të Kinës ndërsa vijon të jetë temë e ditës prej dhjetorit të 2019-ës.

Në situata të tilla ka njerëz që përpiqen të përfitojnë duke shpikur “kura” për të shëruar pandeminë por që në të vërtetë nuk vlejnë dhe janë thjesht mashtrime.

Një doktor me emrin Abdellah në bashkëpunim me vëllain e vet kanë shpikur një kurë dhe e shisnin tek njerëzit me idenë se të shëron nga koronavirusi, raporton BBC.

Ngjarja ka ndodhur në Gana ndërsa një hetues i quajtur Anas Aremeyaë ka takuar qëllimisht këta persona për të blerë këtë kurë dhe iu prezantua Dr.Abdellahut si një njeri që kërkonte kurën për vëllain e tij që ishte i sëmurë me koronavirus.

Abdellah dhe vëllai i tij bënë të pamundurën për të bindur këtë person të blinte kurën duke e siguruar për efektin pozitiv.

Abdellah i shiti Anasit tre shishe me këtë kurë për afër 172 dollarë. Por para se të largohej, Dr. Abdellah paralajmëroi Anasin se njëra nga shishet mund të shkaktonte diarre serioze.

Pas disa javësh hetuesi u kthye përsëri për të vizituar vëllezërit pasi e thirrën të blinte sërish nga ky ilaç. Tek ata ai gjeti më shumë se 100 shishe dhe kur i pyeti se çfarë janë, vëllezerit i thanë se këto shishe mbajnë brenda fuqi shpirtërore misterioze dhe e shërojnë direkt koronavirusin. Ato kushtonin 25.974 dollarë në total.

Këtë ilaç hetuesi e dërgoi tek Autoriteti i Standardeve në Gana për një test toksikologjie. Rezultatet e testit treguan se të gjitha produktet e vëllezërve Abdellah nuk arritën të përmbushnin standardet për konsum njerëzor, sepse ato përmbajnë nivele të larta të baktereve dhe mykut dhe përkundrazi në vend të kurës mund të shkaktonin sëmundje të rënda në organizëm.

Aktiviteti i burrave u mbyll ndërsa ata janë arrestuar nga policia dhe do hetohen për akuzat që rëndojnë mbi ta.