JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Spitali Vlorë “gostit” me 100 milionë lekë kompaninë e kryetarit të Bashkisë Mat
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17/07/2020 22:15

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Siç kemi përmendur tashmë prej shumë e shumë herësh, Rilindja është një “shkollë më vetë” se si të shpërndash paratë publike në duart e miqve. Rastet e tilla janë thuajse të panumërta, sa çdo ditë zbulohen skandale njëri më i madh se tjetri.

Në rastin konkret rezulton se Spitali Rajonal Vlorë i ka dhënë një tender prej gati 100 milionë lekësh të vjetra me TVSH kompanisë së Kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-60437-06-08-2020 dhe me objekt “Shërbimi i ruajtjes dhe sigurisë fizike për nevoja të Spitalit Rajonal Vlorë”.

Procedura e prokurimit ka qenë “Procedurë e hapur- Marrëveshje Kuadër – me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 12 muaj” dhe natyrisht në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani, përkatësisht “Global Security shpk” me administrator dhe pronar Fatos Malaj, vëllai i Kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj.

Siç kuptohet qartësisht, po kjo kompani ka fituar edhe tenderin. Në muajin nëntor të vitit 2019 Agron Malaj ia ka shitur aksionet e tij vëllait, Fatos Malaj, duke e bërë këtë të fundit aksioner të vetëm të kompanisë.

Fituesi është shpallur nga Drejtoresha e Spitalit, Brunilda Mersini, një emër i lakuar shpesh herë për korrupsion në media. Duke parë të dhënat specifike të këtij tenderi sheh se numri i rojeve është mjaft i vogël saqë nuk justifikon këtë shpenzim kaq të madh prej rreth 100 milionë lekësh. E ç’të thuash më tepër?