JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Përtej çdo limiti/ “Gjikuria” merr 4.5 miliardë lekë nga Belinda Balluku për ujërat e ndotura në Drimadhë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 31/07/2020 22:39

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Siç kemi përmendur disa herë, firma “GJIKURIA” shpk është një ndër më të preferuarat e Rilindjes. Janë të panumërta tenderat që kjo kompani e drejtuar nga Florenc dhe Milo Gjikuria kanë marrë nga administrata publike, ku mund të përmenden tenderi për rrugën Orikum-Llogara dhe ndërhyrjet në “Parkun Natyror” të Himarës, duke rrënuar “Deltën e Palasës”, përmes hapjes së kanaleve dhe marrjes së gurëve e zhavorrit, në një sipërfaqe prej 2000 apo 3000 metra katrorësh. Sipas disa burimeve thuhet nën zë se pas kësaj kompanie mund të fshihet Aleksandër Frangaj por kjo nuk është ende e vërtetuar.

Vetëm në 3 vitet e fundit kjo kompani rezulton se ka marrë rreth 3 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit.

Por e sigurt është që firma në fjalë “bën bingo” gjithmonë në tenderat me vlerë të lartë. Kështu përshembull, një ndër rastet më domethënëse, është tenderi më i fundit i fituar nga kjo kompani. Bëhet fjalë për një tender me objekt : “Impiant i Trajtimi te Ujërave te Ndotura dhe sistemi KUZ Drimadhe, Dhërmi”. Fondi limit ka qenë 355,833,441 Lekë të reja pa TVSH (ose rreth 4.5 miliardë lekë të vjetra me TVSH), ndërsa vlera e ofruar nga “GJIKURIA” shpk është 346,181,758 lekë të reja pa TVSH, ose ndryshe rreth 97,28% e fondit limit, çka lë vend të dyshosh për vërtetësinë e këtij tenderi. Autoriteti që ka realizuar tenderin është Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila drejtohet nga Belinda Balluku.

Nga ana tjetër mësohet se ka patur një kompani e cila ka ofruar një vlerë më të ulët, përkatësisht 304,809,631 lekë të reja, pra gati 400 milionë lekë të vjetra më pak se “GJIKURIA”. Çuditërisht kjo firmë është skualifikuar për mungesë dokumentacioni. Pra shikoni se sa lehtësisht avullojnë në ajër nga buxheti i shtetit plot 400 milionë lekë të vjetra. Mendoni vetëm se sa teste anti COVID-19 mund të ishin blerë me kaq shumë para. Por siç dihet, askujt nuk i ineterson për popullin, por vetëm për xhepat e tij. Nga ana tjetër është plotësiht e pabesueshme se si një impiant ujërash të zeza në fshatin Drimadhë të mund të kushtojë plot 4.5 miliardë lekë të vjetra. Ndoshta ky është vend që SPAK të hetojë, dhe të mos merret vetëm me komisionerët e vdekur.