JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Tender i dyshimtë për pastrimin e QSUT, e akuzuara për mashtrim financiar fiton 200 milionë lekë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02/09/2020 19:36

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Gjithmonë e më tepër tenderat në këtë vend po i fitojnë personat e lidhur me politikën, apo pjesë e familjes “rilindase”. Por së fundmi rezulton se përveç tyre, një pjesë të mirë të tenderave po i marrin edhe kompanitë të cilat janë akuzuar për mashtrim financiar nga prokuroria. Po si e bëjnë këtë? Mjafton të bëjnë ndërrim emri të kompanisë pranë Qendrës Kombetare të Biznesit dhe kaq e pat.

E tillë është edhe Shpresa Joanidhi, pronare “de facto” e firmës “SHPRESA” SHPK. Ajo u arrestua me kërkesë të prokurorisë në shtator të vitit 2019 bashkë me një numër të madh biznesmenësh si të përfshirë në një skemë mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Sipas policisë dëmi i shkaktuar ndaj shtetit nga këta biznesmenë shkonte në miliona euro. Por vetem një muaj pas arrestimit, përkatësisht në muajin tetor 2019, kjo kompani ka ndryshuar emrin e saj në “DION-AL” SHPK. Një veprim ky që do t’i mundësonte të merrte lehtësisht tendera të tjerë, siç në fakt edhe ka ndodhur.

Disa herë ju kemi informuar mbi tenderat e fituar nga kompania në fjalë dhe me sa duket ajo vazhdon përsëri të marrë shuma të majme. Rasti më i fundit është ai që mban numrin e referencës REF-66724-07-24-2020 me objekt “Shërbim pastrimi i ambienteve të jashtme në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Rezulton se bëhet fjalë për një marrëveshje kuadër me një operator ekonomik ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara, me afat të marrëveshjes kuadër 24 muaj, me fond të marrëveshjes kuadër 21,802,758 lekë të reja pa TVSH.

Në tender kanë marrë pjesë dy kompani, dhe fitues është shpallur pikërisht kompania e Shpresa Joanidhit e cila ka ofruar vlerën 16,878,360 lekë të reja ose rreth 200 milionë lekë të vjetra me TVSH. Pra shteti i jep qindra milionë lekë të njëjtit person që vetëm pak muaj më parë e arrestoi për mashtrim financiar. Rrumpallë hesapi apo jo?