JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Fëmijët shqiptarë në kampet e ISIS, reagon Komiteti i Helsinkit: Janë në rrezik, shteti s’mund të rrijë indiferent
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 15/09/2020 16:28

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Fëmijët shqiptarë të mbetur në kampin e Sirisë na kanë prekur zemrat të gjithëve. Qeveria Rama duket se nuk po bën asgjë për këtë gjendje katastrofike që po ju ndodh fëmijëvë dhe familjeve. Për këtë arsye kanë ardhur reagime të shumta në formë revoltimi dhe protesta të qytetarëve. Për këtë situatë ka reaguar edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit duke mbështetur protestën e qytetarëve, klerikëve dhe familjarëve të këtyre të miturve.

Me një reagim për mediat, KShH, bën me dije se janë 51 fëmijë shqiptarë që jetojnë në kampe “në mjerim dhe frikë, në rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e tyre”. Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson në reagim se shteti dhe shoqëria shqiptare nuk mund të qëndrojnë indiferentë para kësaj “gjendje shqetësuese”.

Reagimi i plotë:

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) mbështet dhe inkurajon protestën e qytetarëve, klerikëve dhe familjarëve të fëmijëve që ndodhen në kampet siriane të ISIS-it, të kësaj organizate terroriste të ekstremizmit të dhunshëm. Rreth 51 fëmijë shqiptarë jetojnë në këto kampe në mjerim dhe frikë, në rrezik të vazhdueshëm për shëndetin dhe jetën e tyre. Ata janë në zonat e luftës, dhe ndihen të përçmuar dhe të kërcënuar. KShH vlerëson se shteti dhe shoqëria shqiptare nuk mund të qëndrojnë indiferentë para kësaj gjendje të shqetësuese. KShH është i ndërgjegjshëm për vështirësitë që paraqet shpëtimi (largimi) i fëmijëve nga këto kampe, e megjithë këtë, kjo nuk është e pamundur. Nuk duhet lejuar viktimizimi i mëtejshëm i tyre. Ndërgjegjia dhe humanizmi ynë, dashuria prindërore e familjeve dhe të afërmve të tyre e shoqëruar me veprime konkrete japin shpresë për shpëtimin e tyre. Është kjo arsyeja që KShH i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe miqve tanë ndërkombëtare që ta japin kontributin e tyre dhe të koordinojnë veprimet për kthimin e këtyre familjeve në atdheun e tyre. Gjithashtu, vlen të evidentohet se shtetet janë të lejuara nga e drejta ndërkombëtare të përdorin të gjitha mjetet paqësore për të realizuar të drejtën për mbrojtje diplomatike për shtetasit e tyre, të drejtat e të cilëve janë shkelur ose që ju kanoset një rrezik real në jetën dhe shëndetin e tyre, në një shtet tjetër. Në rastin e Shqipërisë, garantimi i mbrojtjes ndërkombëtare diplomatike ndaj shtetasve përbën një detyrim kushtetues të garantuar në nenin 8 të Kushtetutës sonë.