JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

20 paga pa marrë dhe gati 1 vit pa punë, naftëtarët e Ballshit: Nesër do protestojmë në Tiranë!
Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 16/09/2020 12:21

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Naftëtarët e Ballshit kanë njoftuar se do të protestojnë ditën e nesërme para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Lajmi është bërë publik me anë të një njoftimi zyrtar. Ata janë shprehur se kanë njëzetë paga pa marrë, ndërsa njëmbëdhjetë muaj pa punë. Për këtë arsye gjendja e tyre ekonomike është rënduar së tepërmi. Shtrimi i problemit nga ana e tyre duket se ka rënë në vesh të shurdhër, pasi nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete nga qeveria.

NJOFTIMI:

PROTESTOJMË NË TIRANË
Prej shumë vitesh ne, naftëtarët e Ballshit, jemi vjedhur, tallur e nëpërkëmbur nga pronarët dhe pushtetarët. Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona!
Janë të shumtë rastet që naftëtarëve iu është ndërprerë edhe uji e energjia elektrike në shtëpitë e tyre. Jemi pa punë, pa pagë dhe pa perspektivë!
Grevat, protestat dhe manifestimet tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Pronarët që na janë prezantuar si seriozë, kanë rezultuar të jenë mashtruesit e radhës. Situata jonë sa ka ardhur dhe është rënduar: tashmë është bërë e padurueshme!
Të ndodhur në këtë situatë, kemi vendosur që protestën ta zhvendosim në Tiranë, te Ministria e Energjisë, Parlamenti, Kryeministria dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Këta institicione, që janë shkaktarë të situatës ku jemi, duhet të japin zgjidhje njëherë e mirë për 800 naftëtarë, 800 familje dhe gjithë krahinën e Ballshit!
Ju bëjmë thirrje gjithë naftëtarëve që të bashkohen ditën e nesërme, 17 SHTATOR, ORA 11:00, PARA MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË!
Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen dhe t’na mbështesin në kërkesat tona.
BASHKOHEMI PËR TË DREJTAT TONA, PËR DJERSËN E BALLIT DHE BUKËN E FËMIJËVE!
PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!