JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

“Mjerë ky popull”/ Vaksinat e gripit “i merr në dorë” vetëm një farmaci në Shqipëri
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01/10/2020 21:32

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shqipëria është vendi ku gjithçka mund të ndodhë. Jo gjithçka në fakt, pasi vetëm alienët kanë mbetur pa ardhur. Ndërsa gjithë çudirat e tjera kanë ndodhur thuajse të gjitha. Siç dihet monopolet shtrihen në shumë fusha të vendit, dhe sigurisht nuk mund të mungonte këtu as mjekësia. Dhe natyrisht monopoli nuk mund të mungonte as tek vaksinat e gripit.

Një shqetësim të tillë e ka ngritur Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, sipas të cilit një rrjet farmaceutik i quajtur “ORANGE FARMACI” ka njoftuar se vaksina e gripit do të gjendet vetëm pranë këtij rrjeti farmaceutik. Sipas tyre, rezulton se gjendemi para faktit të monopolizimit të tregtimit të vaksinave të gripit, një veprim i paligjshëm ky dhe në shkelje të normave statusore dhe Kodit Deontologjik Farmaceutik.

Ata i bëjnë thirrje organeve ligjzbatuese të vendit, Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar dhe shkatërruar çdo monopol, në dëm të konkurrencës së lirë dhe mbi të gjitha në dëm të aksesit të popullatës në marrjen e shërbimit farmaceutik.

Por cila është kompania në fjalë? Sipas një hulumtimi të bërë nga JOQ Albania në të dhënat publike të aksesueshme, rezulton se kompania në fjalë ka për administrator shtetasin Arjan Hamiti. Ndërsa pronarët e saj rezulton të jenë "MEGAPHARMA" me 75% të aksioneve, Arjan Hamiti me 5% të aksioneve, Kushtrim Rudi me 5% të aksioneve, Stavrion Foto me 5% të aksioneve, Juxhin Palla me 5% të aksioneve dhe Denion Shengjergji me 5% të aksioneve.

Në vijim njoftimi i plotë i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë:

Të nderuar kolegë, Bazuar në ankesat që na janë adresuar dhe njoftimeve në rrjete sociale, rezulton se jemi përpara faktit të monopolizimit të tregtimit të vaksinave të gripit siç rezulton dhe nga njoftimi i publikuar në rrjetet sociale, nga një prej rrjeteve farmaceutike. Duke e konsiuderuar këtë veprim si të paligjshmë, në shkelje të plotë të çdo norme statutore dhe Kodit Deontologjik Farmaceutik, i bëjmë thirrje subjekteve të përfshira në këtë veprim monopolist, ta ndërpresin atë menjëherë. U bëjmë thirrje gjithashtu organeve ligjzbatuese të vendit, Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar dhe shkatërruar çdo monopol, në dëm të konkurrencës së lirë dhe mbi të gjitha në dëm të aksesit të popullatës në marrjen e shërbimit farmaceutik. U bëjmë thirrje gjithashtu, kolegëve farmacistë që ushtrojnë funksionin e drejtuesit teknik apo farmacistëve të punësuar në këto subjekte, të mos bëhen palë me veprimet antiligjore të pronarëve të tyre, por të zbatojnë me rigorozitet dispozitat ligjore dhe statutore ne fuqi. Në rast të kundërt, ndaj tyre do merren të gjitha masat disiplinore, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, Statutin dhe Kodin Deontologjik Farmaceutik.